«الآدمي مكرم شرعا ولو كافرا»
«Njeriu është i nderuar sipas Sheriatit, edhe nëse është jobesimtar.»
— Ibn ʿĀbidīn, Radd al-Muḥtār ʿalā al-Durr al-Mukhtār, Kitāb al-Buyūʿ, Bāb al-Bayʿ al-Fāsid, vëll. 5, f. 58 (Bejrut: Dār al-Fikr, botimi i 2-të, 1412/1992)
Kjo fjali e Ibn Abidinit, një nga emrat më të shquar të shkollës juridike hanefite, nuk është një fjali e rastësishme nëpër faqet e ndonjë komentari. Ajo është përmbledhja e një qëndrimi që dijetarët tanë e kanë mbajtur për shekuj: se dinjiteti i njeriut nuk i jepet atij nga njerëzit dhe për këtë arsye nuk mund t’i merret prej tyre. Zoti i Madhëruar thotë në Kuran: «Vërtet, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit» (el-Isra, 70). Ajeti nuk thotë «besimtarët», nuk thotë «arabët», as «ata që na ngjajnë». Thotë bijtë e Ademit. Kur m’u kërkua të shkruaja disa fjalë për këtë libër, pikërisht ky ajet dhe kjo fjali e Ibn Abidinit më erdhën të parat ndërmend.
Prof. Recep Şentürk (Rexhep Shënturk) është një studiues që përfaqëson kombiminin e dijeve tradicionale islame, dijeve sociale dhe humaniteteve. Kjo ndihet në çdo kapitull të këtij libri. Ai nuk mjaftohet me citimin e burimeve klasike, por thellohet në atë se si u zbatuan ato në jetën e njerëzve, nga Andaluzia, në Indi, në Perandorinë Osmane. Koncepti që ai rikthen në vëmendje, ādamijah, dhe parimi al-ʿiṣmah bi-l-ādamijah, sipas të cilit paprekshmëria e jetës, pasurisë, fesë, mendjes, familjes dhe nderit i takon njeriut pse është njeri, nuk është një interpretim modern i veshur me terma të vjetra. Autori e gjurmon atë me kujdes nga Ebu Hanifja te Dabusiu e Sarahsiu, nga Zejlaiu deri te Ibn Abidini, duke treguar se kemi të bëjmë me një traditë të gjallë juridike, e zhvilluar ndër breza dhe si një dosmodoshmëri studimi në kohët e sotme
Dëshiroj të vë në dukje diçka që më duket thelbësore. Shpesh, kur flitet për të drejtat e njeriut, myslimanët gjenden në një nga dy pozitat: ose në mbrojtje, sikur t’u duhej të provonin se feja e tyre nuk është në kundërshtim me to, ose në refuzim, sikur gjithçka që vjen me këtë term të ishte e huaj për ne. Ky libër na tregon një rrugë tjetër. Ai na kujton se në trashëgiminë tonë ekziston një gjuhë e pasur për dinjitetin njerëzor, me terminologjinë, argumentet dhe dijetarët përkatës. Nuk kemi nevojë ta huazojmë këtë vlerë; na mbetet vetëm t’i rizbulojmë.
Për ne shqiptarët, kjo temë nuk është abstrakte. Jemi një popull që ka jetuar për shekuj brenda këtij rendi dhe që sot e konsideron bashkëjetesen fetare si një nga vlerat më të çmuara. Kjo bashkëjetesë ka shumë shpjegime, dhe secili prej tyre ka vendin e vet. Por do të ishte padrejtësi të harronim se, për shumë nga të parët tanë, respekti ndaj fqinjit të një besimi tjetër nuk ishte vetëm zakon apo mirësjellje. Ishte detyrim fetar, i mësuar në xhami e në medrese, i mbështetur në fjalën e Zotit dhe në shembullin e të Dërguarit të Tij, që u ngrit në këmbë kur kaloi kortezhi mortor i një hebreu dhe tha: «A nuk është edhe ai njeri?»
Një tjetër vlerë e librit është mënyra e drejtpërdrejt me të cilën autori i qaset traditës islame. Ai nuk e paraqet atë si diçka pa të çara, pa kundërshti apo pa vështirësi. Autori flet pa ekuivoke për mospajtimet midis shkollave juridike, për qasjen që ai e quan ibrāhīmijah, për çështje të ndjeshme si apostazia, xhizja apo pozita e gruas, dhe për rrethanat historike që e zbehën këtë trashëgimi në kohët moderne. Lexuesi mund të mos pajtohet me çdo përfundim të tij, dhe kjo është në frymën e vërtetë të traditës sonë, ku mospajtimi i dijetarëve konsiderohej mëshirë dhe jo përçarje. Por në një këndvështrim tjetër, me librin në dorë, nuk mund të thuhet se ana tjetër e debatit u mbajt në hije.
Mesazhi që do të doja t’i mbetej më gjatë lexuesit është ai i kapitullit të fundit: Unë jam, prandaj kam detyrime. Ne jetojmë në një kohë kur flitet shumë për të drejta dhe pak për përgjegjësi. Autori na kujton atë që Profeti a.s. ua mësoi shokëve të tij: i dështuar nuk është ai që s’ka pasuri, por ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz e agjërim, por me të drejta të shkelura të të tjerëve mbi shpinë. Të drejtat e njeriut, në këtë kuptim, nuk janë vetëm një çështje ligji. Janë një çështje besimi dhe adhurimi.
Ua rekomandoj këtë libër kolegëve hoxhallarëve dhe studentëve të shkencave islame, studiuesve dhe çdo lexuesi që kërkon të kuptojë se çfarë thotë vërtet tradita islame për njeriun dhe dinjitetin e tij, dhe ta nisë nga këtu praktikimin e fesë së tij. Lus Zotin e Madhëruar që ta bëjë këtë punë të dobishme, ta shpërblejë autorin, përkthyesin dhe të gjithë ata që kontribuan që ajo të arrijë në duart e lexuesit shqiptar.
Imam Saimir Ismaili
Tiranë, tetor 2026

